Vjosa Osmani tregon si e refuzoi Ramiz Kelmendin në synimin për post të lartë në qeverinë e saj

Ramiz Kelmendi karrierën e tij në LDK e përfundoi kur u nominua Vjosa Osmani kandidate për kryeministre nga kjo parti, raporton Gazeta Express.

Kelmendi kërkoi garanci nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Isa Mustafa se në rast se kjo parti fiton zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit, ai të emërohet zëvendëskryeministër për ekonomi.

Meqë nuk iu plotësua kjo kërkesë, ai vendosi t’i ndajë rrugët me LDK-në.

“LDK është një parti institucionale që e kanë një rend të emërimeve dhe përzgjedhjes në bazë të asaj se sa keni kontribuar në parti. Unë isha atje shumë shkrut dhe më binte të filloja nga klasa e parë fillore, andaj një profesionisti si unë nuk i takon që të pres edhe shumë për një pozitë meritore. Duke e parë se nuk po gjeja mbështetje vendosa të ndahem miqësisht me LDK’në”, ka thënë Kelmendi në emisionin DPT te Fidani në T7, derisa tregoi edhe se çfarë pozite kërkoi specifikisht.

“Unë kam kërkuar që të miratohem si zëvendëskryeministër për ekonomi, një pozitë që më takon. Kështu unë do vazhdojë vizionet e mija që më janë ndërpre kur ka përfunduar qeverisja e Isa Mustafës”, tha ai.

I njëjti tregoi gjithashtu se kur vendosi që të largohet nga LDK-ja mori menjëherë ftesë nga PDK e Kadri Veselit, parti në të cilën ai kishte qenë dikur. Ai tha se i ka dalë në mbështetje Veselit në këto zgjedhje, e për ofertën që i ka bërë ai do të mësohet pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

E SPONSORIZUAR

Për kërkesën e Ramiz Kelemendit ndaj LDK-së, ka folur mbrëmë në emisioni Pressing edhe kandidatja e kësaj partie për kryeministre.

Vjosa Osmani tha se ajo nuk ka pranuar që Kelmendit t’i jepet garancion se do të emërohet zëvendëskryeministër.

“Ju e kishit Ramiz Kelmendit në intervistë, ai e tha shumë mirë e pranoi drejtë, unë nuk do të rri në LDK-së Vjosa Osmani nuk ka pranuar me më bë zëvendëskryeministër. Ai ka kërkuar në parti që të ketë një garancë, dhe përgjigja që e ka marrë nga partia ka qenë se për këtë vendos kryeministrja”, ka thënë ajo.

Tutje, Osmani shtoi se forca e ekipit është më e madhe se ajo e individit.

“Unë nuk du me ra pre e njerëzve që për shkak të egos individuale harrojnë fuqia ekipore është shumë më e madhe se e individit. Ai ka qenë dikur në pozitë, por nuk do të jetë më për këtë është largu. Besoj që problemin e vetëm që do ta kem është ku me zgjedh prej të gjithë atyre njerëzve profesionistë që i kemi, për me i marrë vendimet e tilla tashmë unë i kam të gjithë partinë prapa”, ka thënë Osmani në Pressing.

Kujtojmë se Kelmendi ka ndërruar disa herë partitë, nga AAK-ja kishte kaluar në PDK dhe nga kjo e fundit në LDK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *