Detaje nga operacioni, si e zbuloi policia greke ngarkesën 1 ton kanabis pas kapjes së trafikantit shqiptar

Një ton kanabis u sekuestrua mëngjesin e sotëm në tokën greke, ndërsa një shqiptar ra në pranga pas operacionit të autoriteteve vendase nga toka, ajri dhe deti.

Mediat greke, të cilat kanë zbuluar detaje nga operacioni i trafikut të drogës Shqipëri-Turqi shkruajnë se disa peshaktarë e zonës kanë parë ditën e djeshme një gomone me dy motorrë 350 kuaj fuqi secili dhe pranë tij një person që notonte në tentativë për të dalë në breg.

Menjëherë peshkatarët kanë thirrur policinë dhe policia ka ndërmarrë një aksion. Gjatë marrjes në pyetje shqiptari nuk ka dhënë asnjë dëshmi, duke bërë që hetuesit të vijojnë kontrollet për drogën.

Nga hetimi policia arriti në përfundimin se droga duhet të ishte fshehur në vendin e quajtur Sporadhes. Ndërsa mëngjesin e sotëm ata nisën kërkimin shpellë më shpellë dhe arritën të zbulonin drogën në ishullin e vogël, Piperi.

Dyshohet se në ishull veç lëndëve narkotike, ndodhen edhe trafikantë shqiptarë të drogës, të fshehur pas operacionit detar për goditjen e një rrjeti të trafikut të drogës Shqipëri-Greqi-Turqi.

Ky operacion lidhet me atë të zhvilluar disa ditë më parë ku u sekuestruan dy gomone me drogë dhe u prangosën disa persona, mes tyre dy skafistë shqiptarë.

Për zougla.gr një oficer i policisë tha: “Ne po kërkonim një shkëmb. Ne ishim të sigurt nga informacionet që kishim në lidhje me faktin se ku fshihej droga”.

Burime policore greke thonë se nuk është vetëm rruga Shqipëri-Turqi-Greqi që trafikantët e drogës duket se përdorin për të transportuar sasitë e drogës.

Ata thonë se një ton drogë është një sasi e madhe, por përveç kanabisit, një tjetër rrugë është ajo Ekuador-Pire-Shqipëri. Kjo referuar sekuestrimit të 137 kg kokainë në portin e Durrësit.

Nga kapja e dy muajve të fundit, me sekuestrimin e të paktën 500 kg kokainë nga Ekuadori në portin e Pireut në shtator, duket se kartelet e drogës në Amerikën Latine kanë arritur të gjejnë lidhje me trafikantët dhe me mafien shqiptare.

Paralajmërohet rritje drastike e çmimit të naftës

Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman paralajmëroi se çmimet botërore të naftës mund të rriten në “nivele të paimagjinueshme” nëse bashkësia ndërkombëtare nuk mban një qëndrim “të fortë dhe të vendosur” ndaj Iranit.

Përndryshe, tha ai, tensionet do të shkallëzohen. i kurorës i bëri komentet në programin televiziv amerikan 60 Minuta.

Intervista vjen 15 ditë pas goditjeve ndaj objekteve të naftës saudite, që paralizuan rreth 50 përqind të prodhimit të papërpunuar të vendit dhe 5 përqind të furnizimit global me naftë.

Udhëheqësi de-fakto i Arabisë Saudite i quajti goditjet një akt lufte po ashtu si edhe sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo. Të dy ata akuzuan Iranin, rivalin kryesor të Arabisë Saudite në rajon, se qëndronte pas sulmeve të 14 shtatorit.

Franca, Gjermania dhe Britania kanë fajësuar gjithashtu Teheranin për sulmet. Irani mohon se ka gisht në këtë ngjarje. /voa

Pacolli tregon se kur do të liberalizohen vizat

Ministri në largim i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është shprehur shumë optimist se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian do të ndodhë së shpejti

Pacolli, i cili udhëheq Aleancën Kosova e Re, ka premtuar gjatë një tubimi në Prizren se vizat për Kosovarët do të hiqen gjatë muajve të ardhshëm.

Ai tha se këtë ia konfirmoi ministri finlandez, me të cilin ishte takuar sot gjatë ditës.

“Unë jam i bindur që në muajt e ardhshëm do të ndodhë liberalizimi, ju do të jeni ata që do të barazoheni me rininë e rajonit, ju do të udhëtoni lirshëm”, ka thënë Pacolli.

“Sot kisha në takim ministrin e Finlandës dhe njëfarë mënyre kjo me u konfirmua, por kjo do të ndodhë, do të plotësohet obligimi i madh që BE e ka ndaj Kosovës”, ka shtuar ai.